Shqipëria ka zhvilluar tjetër stërvitje, për përgatitje sa më të mirë për dy duelet e këtij muaji, të vlefshme për Evropianin e vitit të ardhshëm. Shqipëria më 17 qershor luan në shtëpi kundër Moldavisë, kurse tri ditë më vonë udhëton tek Ishujt Faroe.
Këto ballafaqime i takojnë Grupit E kualifikues. Në stërvitjen e së mërkurës, në faqen zyrtare të Federatës Shqiptare të Futbollit, shkruhet se përzgjedhësit Sylvinho i kanë munguar dy mbrojtësit, Berat Gjimshiti dhe Frederic Veseli. Që të dy pritet t’i bashkohen pjesës tjetër të grupit të enjten. Ndërkohë, në konferencën e mbajtur për shtyp kanë folur mesfushorët Ylber Ramadani i Aberdeenit skocez, dhe Kristjan Asllani që është pjesë e Interit.
“Nuk është ndeshje e lehtë për ne. Duhet t’i marrim me seriozitet këto ndeshje dhe të japim 100% për të fituar dhe shpresojmë të marrim rezultat pozitiv. Moldavia mbrohet shumë. Ne duhet ta luajmë topin sa më shpejtë që të gjejmë hapësira dhe të shënojmë gol”, ka thënë Ramadani. Ndërkohë, Asllani ishte pjesë e Interit edhe në finalen e Ligës së Kampionëve. Skuadra e tij u mposht nga Manchester City. Por ai ka lënë prapa finalen e humbur, ndonëse nuk luajti. Shpreson që në ndeshjet e qershorit, Shqipëria të marrë rezultatet që i dëshiron.
“Kam ardhur prej dy ditësh dhe e kam parë grupin shumë mirë. Po stërvitemi shumë fort dhe po presim ndeshjen me Moldavinë. Do të bëjmë mirë. Moldavia është një skuadër që do të na presë në fushën e vet. Gjëja kryesore ndaj këtij ekipi është që ta mbajmë topin sa më shumë”, theksoi Asllani. Shqipëria e ka një ndeshje të zhvilluar në këto kualifikime. Pësoi disfatë nga Polonia dhe është e fundit pa pikë. Grupit E i prinë Republika e Çekisë me katër pikë, Polonia e dyta ka tri pikë, kurse Moldavia ka dy pikë. Që të tria këto përfaqësuese kanë zhvilluar dy ndeshje. Ishujt Faroe në pozitën e katërt, kanë një pikë në një ndeshje të luajtur.
Comments
Post a Comment